Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të FSHF-së për të zgjidhur gjithçka “brenda gardhit”, duke nënkuptuar se ankesat dhe drejtësia fillojnë dhe mbarojnë tek organet e drejtësisë sportive, klubi i Partizanit ka thyer disa barriera me vendimin për të kallëzuar gjyqtarin Kridens Meta.

KALLËZIMI

Menjëherë pas ndeshjes së vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë Laçi-partizani 0-0, drejtuesit e klubit të kuq kanë bërë kallëzim penal për arbitrin e ndeshjes Kridens Meta. Presidenti Gaz Demi pat paralajmëruar vetëm pak minuta pas ndeshjes për “Panorama Sport” se do ta kallëzonin arbitrin, duke pretenduar se kishte qenë i njëanshëm dhe kishte marrë vendime të qëllimshme gjatë ndeshjes në dëm të Partizanit. Dhe drejtuesit e klubit të kuq e kanë mbajtur fjalën duke e kallëzuar për “shpërdorim detyre”… Tani pritet të veprojë prokuroria, por duket se edhe këtu ka një ngërç…

NUK KA PRECEDENTË

“Panorama Sport” u interesua dje në Prokurorinë e Tiranës sa i përket kallëzimit të Partizanit për Kridens Metën dhe burime të besueshme bënë me dije se çështja është ende pezull. Motivi: nuk ka asnjë precedentë të mëparshëm që një arbitër futbolli të jetë paditur për shpërdorim detyre. Prokurori gjatë kësaj kohe është përpjekur të marrë informacion të mjaftueshëm, por gjërat duken disi të vështira. Megjithatë, nuk përjashtohen mundësitë që gjatë hetimit të hapen spirale të reja dhe të ngrihet një akuzë për gjyqtarin Kridens Meta.

NJË FILLIM I RI

Deri tani asnjë arbitër futbolli nuk është dënuar nga organet e drejtësisë shqiptare sa i përket mënyrës, gabimeve, apo ndikimit që mund të ketë pasur ai në një ndeshje. Mirëpo, nëse hetimi do të marrë ndonjë kthesë të papritur për Kridens Metën dhe të zbulohen fakte që mund të sjellin një ndëshkim të tij nga drejtësia, kjo do të sillte edhe një revolucion në futbollin shqiptar. Natyrisht do të kishte edhe anën e errët sepse kështu klubet do ta bënin të modës që për çdo pakënaqësi të kallëzonin arbitrin në prokurori për shpërdorim detyre. E megjithatë, shanset që të bëhet një precedent që do të fusë në vështirësi të mëdha edhe vetë FSHF-në. Kujtojmë që Kridens Meta u rikthye të arbitronte vetëm 2 javë pas ndeshjes së Kupës Partizani-Laçi, duke mbajtur drejtësi në ndeshjen e Kategorisë së Parë Vllaznia B-Besa, më 25 mars.