Parku “Retro”, flet gjeologu Jonuz Ceku: Mund të jetë i rrezikuar
Ndërtimi i parkut “Retro” në Bulqizë është një investim që sipas planifikimit do t’i japë frymë tjetër qytetit të minatorëve. Por për specialistët e gjeologjisë, duhej një studim i mirëfilltë pasi ky park është i vendosur në një zonë jo të qëndrueshme. Ish-gjeologu Jonuz Ceku thotë se e gjithë zona që po ndërtohet parku retro ka një strukture toke të paqëndrueshme dhe për të ndërtuar në të, duhet që patjetër të vendosen kollona që shkojnë deri në 80 metra thellësi. Ceku shton se kjo është vërtetuat nga studimet gjeologjike që i janë bërë gjithë zonës së Bulqizës para viteve 90-të. Zona është e rrëshqitshme për shkak të strukturës së dobët të tokës. Ndryshimet strukturore ndër vite në zonën e Bulqizës kanë ndikuar edhe në përmbytjen e vazhdueshme mes dy lagjeve të qytetit. Për këtë ish gjeologu Ceku thotë se zgjidhja e vetme mbetet ndërtimi i një tuneli për kalimin e ujërave të shiut në anën e fshatit Plan i Bardhë. Parku Retro në Bulqizë përfshin disa hapsira jo vetëm argëtuese, por edhe pushuese. Investimi pritet të përfudojë në muajt në vijim.