Bashkia e Bulqizës ka marrë masa për parandalimin e përmbytjeve duke nisur punën për hapjen e kanaleve kulluese.
Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla i cili ka inspektuar nga afër punë për hapjen e kanalit kryesor kullues.
“Pas përmbytjeve të vitit të kaluar, po bëjmë të gjitha përgatitjet për të mos u përballur sërish me të njëjtën situatë. Prej ditësh ekipet e punës së Bashkisë Bulqizë po angazhohen intensivisht për të hapur të gjitha kanalet kulluese”, tha ai.
Alla shtoi se do të hapen kanali kryesor dhe degët e tjera kulluese që të parandalohen përmbytjet.
“Aktualisht është hapur dhe pastruar pothuajse i gjithë kanali kryesor, teksa do të vazhdojë puna për të gjitha degëzimet që lidhen me të”, tha ai.
Kanali kryesor kullues përshkon të gjithë fushën e Bulqizës dhe mbledh të gjitha degëzimet e kanaleve të tjera kulluese.