Fshati Kurqelaj i cili ndodhet në veri të njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit, ka objekte me rëndësi të madhe kulturore. Në njësinë Suç veç resurseve të mëdha natyrore një vend të veçantë zënë edhe kullat që mbartin mbi shpinë 200 deri në 300 vite ekzistencë. Ashtu siç ndodhet një numër kullash në lagjen “Tumë” të fshatit Kurdari, edhe në Kurqelaj ndodhet një grup me këto baesa, karakteristike të zonës.
Megjithatë, në listën e monumenteve të kulturës të vitit 2017, nuk rezulton asnjëra prej tyre. Vetë banorët thonë se kullat janë 200 deri në 300 vjeçare e për këtë kanë vlerë të madhe historike. 70 vjeçari Imerr Nuzi tregon se në shumë pak kulla janë bërë ndryshime, ndërsa pjesa më e madhe janë të paprekura. Imerri shprehet se këto objekte jo vetëm duhet të jenë monument kulture, por edhe duhen kthyer në shërbim të turizmit me mbështetjen e shtetit.
Kujtojmë se investime në objekte të tilla që i shërbejnë trashëgimisë kulturore ka patur edhe në fshatin Shullbatërr të Njësisë Administrative Gurrë. Kthimi i tyre në shërbim të turizmit, do t’i jepte zhvillim zonës.