Pak orë para mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike dhe Këshillit Kombëtar, kreu demokrat Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët në qytetin e Elbasanit. Ai foli për zërat kritikë brenda PD-së dhe tha se pushteti dhe drejtimi i kësaj force politike buron nga anëtarët e Partisë Demokratike.
“Sa i përket zhvillimeve brenda familjes tonë. Duan s’duan kundërshtarët tanë, ne jemi një familje e madhe politike, e bashkuar jo nga interesat, as nga krimet e paraardhësve, as nga mëkatet me krimin e organizuar, as nga pazaret me oligarkët, por nga idealet me të cilat lindëm, idealet të cilat na kanë udhëhequr në rrugën tonë, jo pa gabime, jo pa të meta, jo pa probleme, por që ka për të mundur sa herë që kemi patur fatet e vendit në dorë që ta çojmë një hap përpara Shqipërinë. Në këtë shtëpi të madhe nuk ka të tepërt, ndaj çdo mendim, ide, kritikë konstruktive duhet të jetë e mirëpritur. Dhe kjo shtëpi e madhe ka një rregull të vërtetë dhe unik në aplikimin e tij, pushteti buron nga anëtarët e Partisë Demokratike, jeni ju ata që vendosni në votë përfaqësuesit tuaj dhe drejtuesit tuaj. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë shumë shpejt”.
Në fjalën e tij Basha përsëriti qëndrimin e tij për masakër elektorale në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij Rama dhe kreu i Policisë morën në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar dhe të blerë qytetarët e Elbasanit.