Papunësia largon të rinjtë nga fshati Trenë i Dibrës
Fshati Trenë, në Njësinë Administrative Melan në Bashkinë Dibër, është një nga fshatrat më të afërt me rrugën nacionale Peshkopi – Tiranë. Por kjo afërsi nuk i ka mbajtur aty të rinjtë të cilët janë larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë. Ismet Spahiu thotë se para viteve 90-të në këtë fshat jetonin 90 familje, ndërsa sot kanë mbetur më pak se 40. Dhe këto thotë ai janë me nga dy persona, kryesisht të moashuar pasi rinia është larguar për një jetë më të mirë. 82-vjeçari Ismet Spahiu shprehet se me gjithë resurset që ka fshati, ujin e pijshëm, atë vaditës e rrugën e asfaltuar, të rinjtë nuk e gjetën vetën për ta ndërtuar jetën këtu. Kjo bëri që pjesa më e madhe e rinisë të emigronte e një pjesë tjetër të zhvendosej në zona të ulta. Shpresa për tu rikthyer të rinjtë në këtë fshat është humbur. 82-vjeçari nuk është optimist se një ditë ata që ikën nga aty do të rikthehen pasi kanë ndërtuar jetën e tyre atje ku jetojnë. Ashtu si në shumë fshatra të tjerë edhe në këtë fshat pamja është e dhimbshme për shkak se shumë shtëpi janë rrënuar apo janë drejt rrënimit të plotë.