Një aksident i rëndë është regjistruar rreth orës 15 e 30 minuta në rrugën e galerive të zonës D në minierën e Bulqizës.

Një automjet tip furgon doli nga rruga dhe përfundoi rreth 200 metra poshtë në vendin e quajtur antenat.

Në mjetin furgon mallrash ndodheshin 7 persona të cilët dyshohet se kanë qenë të rinj që mblidhnin mineral kromi në stogjet e minierës së zonës D.

Burime pranë policisë së Bulqizë thanë se paraprakisht dyshohet që shkak i aksidentit të jetë bërë humbja e kontrollit të drejtimit nga ana e drejtuesit të mjetit.

Për shkak të terrenit me dushqe, fatmirësisht nuk është shënuar asnjë viktimë, pasi mendohet që ato të kenë dalë jashtë mjetit gjatë batimeve deri sa është ndaluar nga pemët.

Shkak i aksidentit mund të jetë bërë edhe rruga e cila është në gjendje të degraduar.