Ky është një nga pallatet e dëmtuara rëndë nga lëkundjet e tërmetit të fuqishëm të vitit 2019 në qytetin e Bulqizës. Të gjitha komisionet e verifikimit dhe konstatimit e kanë nxjerrë këtë pallat të pabanueshëm e të rrezikshëm.
Nisur nga kjo një vit më parë, Bashkia Bulqizë vendosi të largojë banorët që vijonin të jetonin aty. Për këtë, autoritetet u detyruan të ndërpresin energjinë elektrike dhe ujin, pasi banorët nuk largoheshin.
Por me gjithëse ka kaluar një vit që në këtë pallat nuk jeton më askush, ai vijon të qëndrojë në këmbë. Deri tani nuk është bërë asgjë për shembjen e objektit dhe ndërtimin e një pallati të ri. Banorët vijojnë të jenë vizitorë të pallatit pasi kanë thuajse të gjitha orenditë brenda.
Ata vijojnë të qëndrojnë tek të afërm të tyre ose në banesa me qera, ndërsa nuk dinë asgjë se kur do të marrin banesë të re nga autoritetet vendore apo qëndrore.
Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu i tha “Mat Televizion” se ka dërguar shkresa vazhdimisht për shembjen e pallatit ekzistues dhe ndërtimin e një pallati të ri në mënyrë që familjet që janë nxjerrë jashta, të kenë shtëpi të reja.