Nga Bujar Nishani
Nuk kam preferuar kurrë t’i kundërpërgjigjem provokimeve dhe sulmeve të ndërsyera të Bamir Topit vetëm për një arsye. Duke e njohur mirë atë njeri, që për shkak të kompleksit të thellë të inferioritetit që e karakterizon, është përpjekur gjithë jetën e tij vegjetative të ndërtojë kontraste haluçinante me të tjerët që e mundonin me qënien e tyre.
Nuk i jam kundërpërgjigjur Bamirit kur si i vetmi ish-President keqpërdorej nga Edi Rama për të sulmuar Presidentin në detyrë. Jo pse këtë mision e merrte vetëm ky ndër të gjithë ish Presidentët e vendit, por për një arsye fare të thjeshtë. Kisha parasysh nivelin që përfaqësonte Edi Rama, imagjino pastaj një bufon që përdorej nga Rama.
Nuk kam reaguar as kur mora detyrën e Presidentit të Republikës dhe u skandalizova kur e gjeta institucionin më të lartë të Shtetit Shqiptar të kthyer në një vend ku kalbeshin mbeturina të hedhura prej vitesh e ku vendi më i investuar ishte kuzhina e gatimit dhe menca e ngrënies.
Në fakt nuk mund ta mendoja më parë se si zyra e Kryetarit të Shtetit të kthehej në kuzhinë gatimi e ngrënie.
Natyrisht që e ktheva urgjentisht atë ambient në një bibliotekë e dhomë për median dhe të gjithë ambientin e Presidencës në një vend dinjitoz për shtetin e qytetarët.
Tashmë Bamiri më paska bërë edhe pompist karburanti !!!
Të punosh pompist nuk është ndonjë gjë e keqe aspak. Kam respektin dhe nderimin tim më të madh për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që bëjnë atë punë. Ajo është shumë më e ndershme se sa p.sh. t’i ushqesh fëmijët me paratë që iu merr si gjoba gjyqtarëve e prokurorëve.
Por mua nuk më është dashur të punoj kurrë si pompist. Nëse do ta kisha të nevojshme atë punë, do ta bëja pa asnjë problem. Në fakt mua më është dashur të punoj në sektorin privat si administrator në tre biznese të ndryshme, për disa vite, pasi megjithëse kisha vetëm një vit kur isha kthyer nga studimet pasuniversitare në një prej akademive më prestigjoze në Kaliforni të SHBA, u pushova nga puna në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u largova nga Forcat e Armatosura prej ish-enveristëve të Shkollës së Bashkuar që u rikthyen në krye të asaj ministrie dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në shtatorin e vitit 1997.