Ekipi i futbollit Burreli do të ketë një sfidë të vështirë të shtunën ku do të presë në shtëpinë e tij ekipin e Bylisit i cili në këto pesë javë kryeson kategorinë e parë me 15 pikë të plota. Megjithatë edhe matjanët nga ana tjetër në dy ndeshjet e fundit kanë patur një rezultat bindës duke fituar me diferencë të thellë golash ndaj Besës së Kavajës në shtëpi dhe Besëlidhjes së Lezhës në transfertë. Skuadra ka zhvilluar këtë javë seanca të ngjeshura stërvitore duke patur parasysh edhe kundërshtarin që do të ketë përballë.
Megjithatë, fituesi i kësaj sfide do të zbulohet vetëm pas përfundimit të 90-të minutave lojë që do të zhvillohet të shtunën në orën 14:00 në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit.
Drejtuesit e stafit teknik janë të bindur që djemtë do të bëjnë maksimumin në fushën e gjelbërt për të ruajtur kështu ecurinë e fitoreve të nisura në dy javët e fundit.
Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë dhe asnjë prej tyre nuk është i dëmtuar apo të ketë numrin e kartonëve që e penalizojnë nga përfshirja në 11-tshe.