Nuk ka ndërgjegjësim, udhëtarët mbushin sërish me mbeturina burimin në “Vabli”
Pavarësisht kronikave të vazhdueshme ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit në zonën e quajtur “Vabli”, në Shkopet, situata vijon të mbetet shqetësuese. Siç shihet edhe nga pamjet, hapësira pranë burimit të ujit është e mbushur me bidonë plastikë dhe mbetje të tjera, të cilat lihen kryesisht nga persona që ndalojnë aty për të mbushur ujë për konsum familjar apo për qëllime tregtare. Ndotja bëhet edhe më problematike pasi mbeturinat hidhen shumë pranë, madje edhe sipër burimit të ujit, duke rrezikuar ndotjen dhe kontaminimin e tij. Edhe ana poshtë rrugës, buzë liqenit të Shkopetit, është e mbuluar nga mbeturina të shumta, të cilat aktualisht fshihen pjesërisht nga bimësia e rritur në zonë. Ndotja nuk shkaktohet vetëm nga personat që furnizohen me ujë, por edhe nga udhëtarë të shumtë që ndalojnë gjatë aksit rrugor Skuraj – Burrel dhe anasjelltas. Bashkia Mat ka ndërhyrë disa herë për pastrimin e ambientit dhe ka zhvilluar fushata sensibilizuese për ruajtjen e pastërtisë, por persona të papërgjegjshëm kanë dëmtuar edhe tabelën paralajmëruese të vendosur për ndalimin e hedhjes së mbeturinave. Po ashtu, kontejnerët e vendosur në këtë zonë janë hedhur në liqenin e Shkopetit nga persona ende të paidentifikuar.