Kampionati i kategorisë së parë në futboll do të nisë këtë të shtunë. Të paktën deri këtë të Hënë Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka lajmëruar një shtyrje tjetër të kampionatit. Në këto kushte skuadrat po përgatiten për garën e vërtetë që do të nisë me datë 6 Shkurt. Matjanët do ta rinisin garën në transfertë ndaj Veleçikut të Koplikut. Në fazën përgatitore, Burreli ka vijuar me ndeshjet miqësore ku të shtunën luajti në Kavajë ndaj ekipit Turbina të Cërrikut, duke e mundur këtë të fundit me rezultatin 4 me 2.
Ndërkohë të hënën djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj kanë nisur stërvitjen, të cilën për shkak të kushteve të vështira atmosferike e kanë zhvilluar në ambjete të mbuluara private sportive.
Ndërkohë argument për shtyerjen e kampionatit deri tani në kategorinë e parë, FSHF ka dhënë gjendjen jo të mirë të fushave sportive të kësaj kategorie. Ndërsa fusha e stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit, është në kushte optimale për të pritur rinisjen e garës në kategorinë e parë.