Ndeshja miqësore e planifikuar të luhej këtë të shtunë mes ekipit të futbollit “Burreli” dhe atij të Elbasanit, nuk do të zhvillohet. Burime pranë klubit matjan thanë se shkak për këtë është bërë mungesa e fushës në Elbasan pasi nuk është pranuar që kjo ndeshje të luhej në stadiumin “Elbasan Arena”. Megjithëse ftesën e bërë nga matjanët, elbasanasit kanë refuzuar të vijnë në Burrel e kjo ka bërë që takimi të anulohet.
Megjithatë, Burreli do të zhvillojë miqësore të shtunën në stadiumin “Liri Ballabani”. Djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj do të përballen me të rinjtë e ekipit të Laçit. Kjo përballje po zhvillohet për të mbajtur skuadrën sa më në formë.
Ndërkohë, një tjetër miqësore pritet të zhvillohet javën e ardhshme. Mësohet se është rënë dakord që Burreli të luajë kundër Vallaznisë së Shkodrës, një ekip i superligës. Kjo ndeshje pritet të nxjerrë edhe njëherë në pah vlerën e skuadrës së këtij sezoni të krijuar jo vetëm për t’i bërë ballë kategorisë së parë, por edhe për të qenë pretendentja kryesor për superligë.