Komedia “Nuk dëgjoj, Nuk shikoj, Nuk flas”, u ngjit të premten pasdite në skenën e Pallatit të Kulturës në Burrel para publikut artdashës matjan. Vepra shkruar nga autori grek Jorgos Theodosiadis me regji nga Donard Hasani dhe Valdrin Asan u interpretua në skenë nga aktorë të njohur të teatrit. Në role janë Romir Zalla, Ervin Bejleri, Alert Çeloaliaj dhe Jorida Meta.

Në qendër të komedisë janë tre personazhe ku njëri nuk dëgjon, njëri nuk flet dhe njëri nuk shikon, e që përplasen me njëri -tjetrin në momentin që hyn një vajzë me të cilën janë dashuruar të tre pa e ditur. Komedia fillon me ardhjen e saj në shtëpinë e tyre, ku të tre befasohen që ajo i njeh dhe secili përpiqet ta bëj për vete, duke u munduar të fshehë të metën fizike që ka. Në fund të gjithë pranojnë që jeta duhet jetuar me optimizmin për të ecur përpara pa e paragjykuar veten.

Aktorët Romir Zalla e Ervin Bejleri mbetën të mahnitur nga publiku matjan ku siç e cilësuan ata, ishte një publik profesionist e i etur për shfaqje të tilla.

Kjo komedi u mundësua për publikun matjan nga bashkëpunimi i Qendrës Kulturore Mat dhe Teatrit Kombëtar e me mbështetjen e vetë kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj.