43 vite më parë do të hapej në Mat klasa e parë sportive e përbërë nga nxënës të disa shkollave në qytetin e Burrelit, me mësuesin e sportit Zyber Xhetani. 14 vajza do të përgatiteshin për sportin e basketbollit, ndërsa 16 djem për sportin e futbollit. Ishte pikërisht kjo klasa e parë sportive në Mat, sportistët e sëcilës më pas do të kishin suksese kombëtare.
Për të risjellë edhe njëherë në vëmendje ato vite, një grup ish nxënës të klasës së parë sportive, tashmë në moshë madhore, u takuan pas 39 vitesh të përfundimit të shkollës 8 vjeçare. Emocionet e takimit pas rreth 4 dekadash janë të mëdha, teksa shohin ndryshime të dukshme nga ajo kohë. Ata e nisën ritakimin në një kafene, ku për pak caste shkëmbyen batutat e atyre viteve.
Më pas ata u zhvendosën në ambjentet e shkollës “31 Korriku” ku dhe kaluan katër vitet sëbashku. Surpriza e këtij takimi ishte bluzat që mbanin të shkuara emrat apo mbiemrat e secilit nxënës të klasës së parë sportive të vitit 1976. Vendosja në tavolina ishte si ajo e dikurshmja, ndërsa nuk munguan as batutat e mësuesve të tyre të improvizuara nga vetë ata, duke i rikthyer edhe njëherë në memorie.
Pas daljes në ambjentet e shkollës, nuk kishte se si të mungonte vrapi që duhet të bënin çdo ditë i udhëhequr nga mësuesit e tyre Zyber Xhetani, Petraq Simo etj.
Teuta Terziu, Merita Gjoni, Lulzim Koka dhe Irena Noçka i kujtojnë plot nostalgji ato vite, ndërsa kanë edhe një apel, të rikthehen klasat sportive, të cilat do të shërbejnë shumë zhvillimit të sporteve në Mat.