Në kuadër të javës europiane kundër plastikës Njësia e Integrimit Europian në Bashkinë Mat zhvilloi një aktivitet sensibilizues në qytetin e Burrelit.

Specialistët e kësaj zyre dhe specialistë të tjerë pranë bashkisë, shpërndanë broshura informuese pranë bizneseve dhe qytetarëve të Burrelit në shenjë solidarizimi për eleminimin e përdorimit të plastikës. Specialisti pranë Njësisë së Integrimit Europian në Bashkinë Mat, Edison Doçi tha se nisma do të pasohet edhe me aktivitete të tjera në vazhdim.

Sipas një studimi më shumë se 480 miliardë shishe plastike u shitën gjatë vitit 2016 në të gjithë botën. Deri në vitin 2021 kjo shifër pritet të rritet në rreth 580 miliardë. Por përpjekjet për të mbledhur dhe ricikluar shishet për të mos i ndotur oqeanet, detet, liqenet dhe lumenjtë po dështojnë. Prandaj është ndërmarrë kjo fushatë për eleminimin e përdorimit të plastikës.