Në mbrëmjen e 15 janarit të vitit të kaluar vendi ynë u godit nga një valë tërmetesh, epiqendra e të cilit ishte në Njësinë Administrative Xibër të Bashkisë Klos. Kështu, dhjetra banesa u dëmtuan një vit më parë nga lëkundjet 4.7 dhe 4.1 të shkallës rihter, ndërsa disa prej tyre u kthyen në të pabanueshme. Edhe pse ka kaluar një vit nga lëkundjet që shkaktuan panik e dëme tek banorët, shumë familje vijojnë të jenë në të njëjtën gjendje. Familja e Nuredin Hoxhës nga fshati Xibër – Murrize është një nga familjet e dëmtuara nga tërmeti një vit më parë. Siç duket edhe nga pamjet, banesa e kësaj familjeje vijon të jetë gati në shembje, ndërsa kryefamiljari thotë se prej një viti vijon të jetojë në të. Nuredini shprehet se ka trokitur vazhdimisht në dyert e institucioneve shtetërore, ndërsa ende nuk ka marrë ende asnjë zgjidhje prej tyre.

Nga ana tjetër, Nuredin Hoxha shprehet se specialistët e kanë nxjerrë të pabanueshme banesën, ndërsa familja e tij e ka të pamundur ekonomikisht të ndërtojë banesë të re.

Edhe në fshatin Xibër – Hane, një vit më parë pati disa familje të dëmtuara si ajo Lika dhe Hoxha, por gjendja vijon të mbetet e njëjtë, duke përjetuar rrezikun e shembjes së banesës çdo ditë e më shumë.