NJË UDHËPËRSHKRIM EMOCIONAL MES PROZËS DHE POEZISË

NJË UDHËPËRSHKRIM EMOCIONAL MES PROZËS DHE POEZISË

“Strehë shpirti”, është titulli i ri i veprës letrare të pestë të autores matjane Elona Basha, që vjen në duart e lexuesit si një udhëpërshkrim dhe kthim tek rrënjët, kujtesa dhe formimi i identitetit. Vepra është konceptuar me një strukturë të veçantë dy-pjesëshe: një blloku në prozë, ku rrëfimet autobiografike ndërthuren me tregimet e shkurtra, dhe një blloku poetik që i jep zë ndjenjave më të holla. Në pjesën e parë, autorja na fton në një zbritje emocionale në vendlindje, duke ringjallur fshatin Baz dhe familjen Basha me një vërtetësi prekëse. Përmes aromës së arrave dhe kujtimeve të fëmijërisë midis Bazit e Urxallës, ajo dëshmon se vështirësitë e truallit nuk e zbehën vlerën e banorëve, por e kalitën karakterin e tyre. Ky rrugëtim merr një kthesë jetësore kur ëndrra për metropolin e largët të Londrës zëvendësohet me misionin fisnik në një klasë fshati, ku në sytë e nxënësve autorja zbuloi peshën e vërtetë të përgjegjësisë ndaj brezave. Proza e këtij libri pasurohet më tej me personazhe si Elia, Arseni e Anastasia, të cilët mbartin mbi supe dilemat e shoqërisë sonë dhe temat e përjetshme të dashurisë e qëndresës. Këto tregime shërbejnë si pasqyra ku miqësia, instinkti dhe mëmësia vihen në provë, duke i dhënë çdo jete një vlerë të padukshme por të patjetërsueshme. Ato nuk janë thjesht fiksion, por reflektime të ndjera mbi shërimin dhe pranimin e vështirësive që has njeriu në udhëkryqet e jetës. Kur faqet kthehen, kalimi në bllokun e dytë të librit ndodh natyrshëm, si një frymë që ngrihet nga toka e rrëfimit për të prekur qiellin e vargut. Poezia e Bashës nuk e braktis prozën, por e shndërron atë në emocion të kulluar, ku vargjet bëhen streha e fundit e ndjenjave të papërfunduara. Nga poezitë “Përditë” dhe “Të mjerë ata…”, te “Mrekullia është këtu!” dhe “Ku është qetësia?”, autorja ndërton një mozaik ndjeshmërie ku fjalët bëhen dritë e shpirtit. Poezia e saj nuk kërkon të bërtasë, por të prekë në heshtje, duke na kujtuar se shërimi nuk është harresë, por pranim, dhe se zemra mund të thyhet e sërish të gjejë forcën për të rrahur.Në mbyllje, gjeografia shpirtërore e veprës zgjerohet nga Stambolli në Prishtinë, por boshti mbetet gjithmonë kthimi te rrënjët dhe te "streha" që gjendet brenda nesh. Redaktori i librit “Strehë shpirti”, Hamdi Hysuka e përshkruan me të drejtë këtë vepër si një dialog të heshtur mes së kaluarës dhe së tashmes. Ai thotë se Elona Basha përmes kësaj vepre letrare nuk kërkon të ndryshojë botën me zhurmë, por e zgjedh ta ndryshojë çdo ditë, me qetësi, me punë, me fjalë të matura dhe me zemër të hapur. Elona Basha, me librin e saj të pestë “Strehë shpirti” na mëson se streha e vërtetë nuk gjendet larg, por aty ku janë rrënjët, vlerat dhe dashuria për atë që bën.