Rruga e fshatit Xibër – Hane në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit po rehabilitohet. Banorë të zonës thanë se firma që ka ndërtuar një hidrocentral në zallin e këtij fshati po zbaton marrëveshjen e nënshkruar mes tyre pak vite më parë.
Sipas banorëve, prej të paktën tri vitesh rruga kryesore e këtij fshati që nis nga rruga e Arbrit në qendër të njësisë Administrative dhe përfundon në afërsi të fshatit Ketë, ishte pamirëmbajtje dhe pa asnjë rehabilitim. Kjo kishte bërë që lëvizja me automjete nga qindra banorë të bëhej me vështirësi.
Ndërkohë, prej pak ditësh mjetet e firmës që po ndërton hidrocentralin kanë nisur punën nga vendi i quajtur “Vanar” në drejtim të fshatit Xibër – Hane. Jashtë kameras, banorët shprehen se një tjetër arsye që firma po rehabiliton rrugën e fshatit të tyre është se edhe ajo vetë duhet të transportojë materiale për të ndërtuar digën e HEC-it dhe në pamundësi të një alternative tjetër, ka zgjedhur të rehabilitojë rrugën ekzistuese. Megjithatë, e rëndësishme është që më në fund banorët e Xibër- Hanes do të kenë infrastrukturë më të mirë për të qarkulluar me automjetet e tyre drejt Tiranës apo Klosit.
Rreth 4 vite më parë, firma ka shprehur gatishmërinë edhe për të asfaltuar një pjesë të kësaj rruge, por kjo mbetet për tu parë, ndërsa momentalisht pritet që puna të përqendrohet në zgjerimin e rrugës, hapjen e kanaleve kulluese, vendosjen e tombinove dhe shtrimin me çakëll.