Rreth 2.300 nxënës në Bashkinë e Matit kanë nisur këtë të hënë vitin e ri shkollor. 166 nxënës janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa 174 nxënës kanë nisur klasën e dhjetë në Arsimin e Mesëm të Lartë. Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj dhe drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Mat Lefter Salaj zgjodhën gjimnazin “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit, të saporikonstruktuar, për të uruar vitin e ri shkollor. Drejtori i këtij Gjimnazi Qemal Sulaj, falenderoi bashkinë Mat dhe Qeverinë shqiptare për investimin e kryer në gjimnazin që mban vendin e parë në Kartën e performancës, Kryebashkiaku Agron Malaj e drejtori i ZVA Mat, Lefter Salaj, ftuan nxënësit t’i mirëmbajnë ambjentet e reja të rikonstruktuara dhe t’i shfrytëzojnë ato për shtimin e dijeve dhe projekteve të për një të ardhme më të sigurt.
Më pas, kryebashkiaku i Matit Malaj dhe drejtori i ZVA Mat Salaj u takuan me stafin pedagogjik e nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori”. Në fjalën e tij drejtori i këtij gjimnazi Lorenco Leka tha se çdo gjë në këtë objekt arsimor është në standartet më të mira dhe me staf të kompletuar. Kryebashkiaku Agron Malaj e Drejtori i ZVA Mat, Lefter Salaj uruan nxënësit dhe mësuesit për një vit mësimor të suksesshëm.
Në Bashkinë e Matit nuk ka patur asnjë shkollë të mbyllur dhe asnjë mësues i larguar në nisje të këtij viti të ri shkollor.