Nga kjo e hënë është rikthyer pjesërisht shërbimit i kontrollit teknik të automjeteve pas 5 muajsh pezullim si pasojë e kalimit nga privat në shtet.
Njoftimi është dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor e cila thekson se shërbimi do të nisë gradualisht në të gjithë vendin. Fillimisht shërbimi i kontrollit teknik do të nisë për Kamionët, rimorkiot dhe tërheqësit, të cilëve iu ka skaduar çertifikata e mëparshme e Kontrollit Teknik e lëshuar nga SGS dhe të gjitha mjetet në pronësi të institucioneve shtetërore.
Drejtues të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Dibër, thanë se ende shërbimi nuk ka nisur në këtë institucion për kontrollin teknik të automjeteve. Sipas tyre, kjo pritet të ndodhë deri të hënën e ardhshme pasi po testohen pajisjet e reja.
Ndërkohë, nga muaji Qershor nis shërbimi për të gjitha mjetet e përdorura të regjistruara për herë të parë në Republikën e Shqipërisë nga data 1 janar 2021 të cilat nuk janë pajisur ndonjëherë me Certifikatë të Kontrollit Teknik. Të gjitha mjetet të cilave u ka përfunduar Certifikata e Kontrollit Teknik deri në datën 23 dhjetor 2020 (nga hyrja në fuqi e Aktit Normativ) ose nuk e kanë kaluar Kontrollin Teknik dhe duhet të riparaqiteshin brenda datës 31 dhjetor 2020;
Mjete të tjera rrugore për transport mallrash të rrezikshme. Mjete rrugore për transportin e udhëtarëve ndërkombëtar dhe ndërqytetës (lloji autobus). Taksitë, autoshkollat dhe mjetet e tjera në pronësi të subjekteve.
Të gjitha autoveturat të cilat janë pajisur me Certifikatë të Kontrollit Teknik gjatë periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2020, do të njoftohen nga DPSHTRR në një moment të dytë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë nga 1 vit në 2 vjet, për shkak të ndryshimeve të përcaktuara në Kodin e Ri Rrugor. Gjatë kësaj periudhe pritjeje, të gjithë drejtuesit e mjeteve që bëjnë pjesë në këtë kategori, nuk do të penalizohen nga organet e kontrollit në rrugë për kontrollin teknik, por që duhet të paguajnë detyrimisht taksën vjetore të automjetit.
Dritan Kurti