Vepra më e rëndësishme e fshatit Xibër – Murrize në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë Klos e cila përdoret pothuajse nga i gjithë fshati ishte jashtë funksionit. Për shkak të një shembjeje të madhe të terrenit në afërsi të gurrave të Gurit të Bardhë nga ku dhe furnizohet kanali vaditës i Xibër – Murrizes, ishte kthyer jashtë funksioni. Por prej disa ditësh ka nisur ndërhyrja në të për të bërë të mundur vendosjen në efiçencë të kësaj vepre. Zëvendëskryetari i Bashkisë Klos, Armand Gjini tha se janë riparuar 300 metra linear vepër vaditëse, duke vendosur tuba që sigurojnë kalimin e ujit tek fermerët. Puna e nisur këto ditë pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji në mënyrë që me datë 1 Korrik, banorët e fshatit Xibër – Murrize në Njësinë Administrative Xibër të kenë ujë vaditës për të mbjellat e tyre. Drejtues të Bashkisë së Klosit thanë se paralelisht po punohet edhe në veprat e tjera vaditëse në Xibër për t’i vënë ato në shërbim të banorëve.