Ishte kthyer në objektet arsimore më problematike dhe të komentuara në Bashkinë e Klosit, godina e gjimnazit “Shaban Çollaku”, po i nënshtrohet rikonstruksionit.
Prej ditësh firma fituese për zbatimin e projektit ka nisur punën për rikonstruksionin e plotë të kësaj godine e cila ishte kthyer në një rrezik për rreth 400 nxënës e mësues të kësaj shkolle.
Financimi i këtij rikonstruksioni erdhi pas kërkesave të vazhdueshme të Bashkisë së Klosit, ku më në fund Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë financoi pjesërisht projektin që kapte vlerën e rreth 160 milion lekëve të rinj, duke e reduktuar atë në rreth 90 milion lekë të rinj.
Investimi do të përfshijë rikonstruksionin total të godinës, duke e kthyer atë me çati dhe jo tarracë siç është aktualisht. Përfundimi i investimit do të kërkojë kohë, ndërsa pritet që gjatë muajit Gusht, të vendoset se ku do të zhvillojnë mësim gjimnazistët e klosit deri sa godina e re e tyre të bëhet gati.