Niveli i ujit në liqenin e Ulzës ka rënë deri në fshatin Rrethe-Baz. Duke qenë se periudha e shtimit natyral të peshkut krap është drejt përfundimit, rënia e nivelit të ujit pritet të ketë pak impakt negative në këtë aspect.

Zona që ka mbetur thuajse në të thatë është ajo mes fshatrave Urakë, Rukaj e Rrethe-Baz. Niveli i ujit në këtë zonë ka kaluar në atë të shtratit të lumit Mat. Specialistët thonë se mundësia e peshkut për të lëshuar vezët mbetet tek niveli i ujit në rrjedhën e lumit, sidomos të barishteve përgjatë tij.

Parashikimet e motit për reshje shirash me interval ka bërë që kompania që menaxhon basenin ujor të Ulzës të shfrytëzojë sasinë e ujit që ndodhej në të nga shirat e pranverës. Megjithatë, reshjet kanë qenë të pakta dhe nuk kanë ndikuar ndjeshëm në prurjet e lumit Mat apo përrenjëve të tjerë që furnizojnë liqenin e Ulzës.

Situata mund të bëhet kritike nëse reshjet me intensitet të lartë do të mungojnë për periudhën në vazhdim, ku rania e nivelit të ujit do të ndikonte jo vetëm tek HEC Ulëz, por edhe tek gjallesat ujore që jetojnë në këtë liqen.