Prej afro tre vitesh fermerët matjan janë përballur me burokraci të shumta sa i përket tregtimit të gjedhëve apo të imtave si rezultat i mungesës së thertoreve në Burrel. të njëjtin fat kanë patur edhe tregtarët e mishit të cilët është dashur që për të therur kafshët, të udhëtojnë drejt Lezhës.
Por prej ditësh ka nisur puna për ndërtimin e një thertoreje 1 kilometër në hyrje të qytetit të Burrelit. Është sipërmarrësi Afrim Stafasani i cili ka nisur ndërtimin e saj ndërsa premton se shumë shpejt kjo thertore do të jetë në shërbim të fermerëve dhe tregtarëve të Matit.
Nga ana tjetër, Stafasani shprehet se në vazhdim veç thertores aty do të ngrihet edhe një pikë grumbullimi të gjedhëve apo të imtave për tregtim me shumicë.
Edhe në Bashkinë e Klosit pritet të ngrihet një thertore me kushte bashkëkohore, mungesa e së cilës ka zbehur dukshëm pazarin e gjësë së gjallë që zhvillohej të dielave aty.