Nis periudha e ndalimit të gjuetisë në liqenet Ulëz e Shkopet
Që prej datës 26 Prill ka nisur moratoriumi i ndalimit të gjuetisë me çdo lloj mjeti në liqenet e Ulzës dhe të Shkopetit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit ka urdhëruar ndalimin e gjuetisë në këto dy basene ujore. Sipas shkresës zyrtare, ndalimi i gjuetisë në liqenet Ulëz e Shkopet bëhet në periudhën 25 Prill deri me 25 Maj që përkon edhe me periudhën e shtimit natyral të peshkut Krap. Por moratoriumi do të vijojë deri në datën 25 Qershor ku nuk do të lejohet peshkimi me rrjeta në fashën bregliqenore prej 150 metra nga bregu i liqeneve Ulëz e Shkopet. Gjatë periudhës së ndalimit të gjuetisë në terren do të jenë grupet e kontrollit të cilat do të monitorojnë situatën në të dy basenet ujore. Peshku Krap zgjedh bimësinë në breg të liqenit për të lëshuar vezët në këtë periudhë ndaj dhe fokusi pritet të jetë kontrolli i gjithë vijës liqenore nga Ulza deri në Urakë apo vija liqenore e Shkopetit nga hidrocentrali e deri tek Ura e Ulzës. Periudha e shumimit natyral të peshkut krap është shoqëruar çdo vit me probleme pasi thyhet nga persona të ndryshëm të cilët shfrytëzojnë daljen në breg të liqenit të peshkut Krap.