Mat Televizion bëri pak ditë më parë publike gjendjen e rrugës nacionale Burrel – Skuraj e cila është lënë totalisht jashtë vëmendjes së institucioneve përgjegjëse. Jo vetëm që nuk ka patur investime në riparimin e pjesëve të dëmtuara, por nuk pastroheshin as barishtet apo ferrat të cilat bllokonin sinjalistikën vertikale anësore e fushëpamjen e automjeteve.
Por vetëm pasi ky lajm i bë publik, firma ka nisur punën këtë të Mërkurë duke nxjerrë në terren një grup punëtorësh të cilët kanë nisur nga vendi i quajtur “Kongrazhd”, pastrimin e ferrave apo barishteve anash rrugës.
Burime për Mat Televizin thanë se puna do të vijojë në të gjithë aksin dhe se do të bëhet pastrimi sipas kontratës së nënshkruar për mirëmbajtjen e tij.
Me hapjen e rrugës së Arbrit aksi nacional Burrel – Skuraj thuajse është braktisur totalisht pasi firma mirëmbajtëse ka bërë ndërhyrje të vogëla, kryesisht në pastrimin e gurëve në segmentin e Shkopetit, apo riparimin e një shembjeje në fshatin Kokërdhok.
Ndërkohë, ky aks rrugor vijon të përdoret masivisht për qarkullimin e automjeteve që i drejtohen veriut të vendit, por edhe Durrësit apo Krujës.