Shumë familje të fshatit Mishtër në Njësinë Administrative Gurrë ishin pothuajse të izoluar për mungesë të një ure që i lidh ato me pjesën tjetër të fshatit. Veç banorëve që jetojnë në këtë pjesë të fshatit Mishtër edhe pjesa tjetër që kanë tokat bujqësore aty e kishin të pamundur t’i punonin ato për mungesë të urës.
Një ndër përfituesit e këtij investimi është edhe Xhavit Arriku i cili disa herë e ka ngritur këtë shqetësim në Mat Televizion. Arriku falenderon median tonë vizive e cila e ka pasqyruar në vijimësi këtë problematikë, dhe që më në fund bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes po ndërtojnë urën.
Prej pak ditësh forcat xhenjere të Ministrisë së Mbrojtjes po punojnë për montimin e elementëve metalikë. Ura tip baley pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e banorëve të kësaj pjese të fshatit Mishtër në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit.