Aksi nacional Klos – Bulqizë vijon të jetë një gangrenë e madhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve që zgjedhin të përdorin këtë rrugë për të qarkulluar në drejtim të Bulqizës, Dibrës, Maqedonisë së Veriut e anasjelltas. Kjo për shkak të problemeve të shumta që ka segmenti në fshatin Kloskatund të bashkisë Klos.

Deformimi i të gjithë sipërfaqes së rrugës në këtë zonë kishte bërë që shumë mjete ta kishin thuajse të pamundur lëvizjen pa bërë kontakt me tokën. Kjo si rezultat i gropave dhe gungave që ishin krijuar pas ndërhyrjes së bërë në vjeshtën e vitit të kaluar.

Ndërkohë, pasi drejtuesit e mjeteve e bënë publike gjendjen e këtij segmenti nëpërmjet prononcimeve në “Mat Televizion”, firma ka nisur një tjetër ndërhyrje.

https://youtu.be/vDXulDTtEDA

Prej pak ditësh, mjete të firmës mirëmbajtëse të aksit nacional Klos – Bulqizë janë parë në zonë duke hedhur grumbuj të mëdha zhavori e gurësh, për bërjen e të gjitha nënshtresave të rrugës nga fillimi.

Momentalisht gjendja e rrugës Klos – Bulqizë është e degraduar, ku edhe mjetet që transportojnë mineral kromi e kanë thuajse të pamundur të lëvizin. Jashtë kameras, ata kërkojnë që punimet të kryhen sa më shpejt të jetë e mundur, pasi rrezikojnë t’ju dëmtohen automjetet.