Pas kronikave të vazhdueshme të Mat Tv firma e cila ka për mirëmbajtje aksin nacional Burrel – Skuraj ka nisur punën për të ndërtuar muret në pjesët e shembura të aksit në fshatin Bushkash.
Fillimisht puna është përqendruar në ndërtimin e një muri në afërsi të lagjes Brukaj. Mjetet dhe punëtorët e firmës në fjalë po ndërtojnë murin në pjesën ku ishte kthyer në një rrezik të madh për përdoruesit e rrugës. Burime pranë firmës thanë se ndërtimi i murit mbrojtës do të bëhet shumë shpejt për shkak edhe të kushteve të motit pasi në vazhdim mund të mos jetë i përshtatshëm për ndërtime.
Pas ndërtimit të këtij muri, puna pritet të zhvendoset pranë urës mbi zallin e Trrajës.
Ndërkohë aksi vijon të ketë problematika të tjera si mungesa e sinjalistikës vertikale e horizontale si dhe deformime të karrexhatës pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij.