Nisur nga vendimi i Qeverisë për ta shpallur 2024-trën si viti i pyjeve, Bashkia e Matit ka nisur me mbjelljen e fidanëve të parë në ekonomitë e larta pyjore, të cilat janë dëmtuar për shkak të rënies së zjarreve, fenomeneve të tjera natyrore apo nga prerjet e paligjshme. Fidanët e parë u mbollën këtë të hënë në ekonominë pyjore të Njësisë Administrative Komsi. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, që ishte pjesë e mbjelljes së fidanëve të parë, tha se kjo iniciativë do të shtrihet edhe në ekonomitë pyjore të Njësive të tjera Administrative në Mat. Gjithashtu, Malaj u shpreh se jo vetëm këtë vit, por edhe në vitet në vijim, Bashkia Mat do të investojë në rigjenerimin e pyjeve me mbjelljen e findavë të rinj në zonat e dëmtuara.

  Faza e parë e mbjelljes së pemëve të reja në ekonominë pyjore të Komsisë, përfshin 1300 fidanë pishë e zezë, shtrirë në një sipërfaqe prej 1 hektar. Ndërsa në fazën e dytë do të jenë 1500 të tjerë, për tu mbyllur në total me 5 mijë pemë të mbjella për këtë vit.