Pas përfundimit të fazës së parë të projektit për veshjen me sistemin kapot të një pjesë të pallateve parafabrikat në lagjen “Pjetër Budi”, ka nisur puna në lagjen “Partizani”. Në këtë zonë banimi puna ka nisur tek pallatet parafabrikat të cilat do të vishen me sistemin kapot që ka një impakt pozitiv për qytetarët. Për të parë nga afër ecurinë e punimeve, ishte vetë kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj i cili tha se projekti do të vijojë në të gjitha pallatet e qytetit të Burrelit, qoftë me financimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, qoftë nga ana e bashkisë. Sipas Malajt, kjo ndërhyrje në pallate ndihmon familjet në uljen e konsumit të energjisë.
Projekti i kësaj faze për veshjen me sistem kapot të këtyre pallateve pritet të mbyllet brenda pesë muajve nga nisja e punimeve.