Ekipi i futbollit Burreli do të presë të shtunën në shtëpi ekipin e Erzenit të Shijakut, ndeshje e cila është konsideruar shumë e fortë për matjanët. Trajneri Samuel Nikaj tha se skuadra e tij tashmë e ka harruar humbjen e një jave më parë në Peshkopi kundër Korabit vendës. Sipas Nikajt, çdo ndeshje e kaluar është një histori e mbyllur dhe vëmendja përqendrohet maksimalisht në ndeshjen e radhës. Ai shtoi se Erzeni ashtu si çdo ekip i grupit është një kundërshtar i fortë, por gara bëhet akoma edhe më e vështirë duke qenë se janë ndeshjet e fundit të fazës së dytë. Megjithatë, numri një i pankinës matjane, Samuel Nikaj tha se Burreli do të dalë fitues nga kjo garë.
“Ndeshja me Korabin kishte dy tablo, ku në pjesën e parë bëmë një lojë dinjitoze. Në pjesën e dytë gabuam në një moment dhe pësuam golin. Është një humbje që një ditë do të ndodhte, ndaj dhe vëmendja jonë nuk është më aty, por tek ndeshja e radhës. Fokusi tashmë është tek Erzeni i cili në të vërtetë është një ekip i fortë, gjë të cilën e tregon edhe pozicioni aktual që kanë në tabelë, në vendin e katërt. Jam i bindur që edhe ata do të luftojnë fort për të qenë në katër ekipet e para të grupit, ndaj dhe do të jetë një sfidë e vështirë. Por edhe për neve është një ndeshje “jetë a vdekje”, pasi siç e kemi theksuar që çdo ndeshje është finale. Ne vërtetë humbëm një ndeshje, por shumë shpejt kthehemi tek fitorja” – tha Nikaj.
Ndërkohë Administratori i Klubit të Futbollit “Burreli”, Bajram Ballabani ka një apel për tifozërinë. Ballabani ju kërkon atyre mirëkuptim që nuk mund të jenë në shkallët e stadiumit. Sipas tij, klubi tashmë e ka marrë një paralajmërim nga ndeshja me Besëlidhjen dhe rrezikon të dënohet që shumë ndeshje t’i luajë jashtë fushe.
“Unë e di që çdo tifoz i ekipit të Burrelit ka dëshirën e madhe për ta parë ndeshjen nga shkallët e stadiumit, por për shkak të rregullave të vendosura si pasojë e pandemisë është e pamundur që të jenë. Në këto kushte, ju kërkoj mirëkuptim çdo sportdashësi, i cili ka dëshirë të jetë në stadium, të mos vijë, pasi nuk do të mund të futet brenda. Numri është i përcaktuar qartë dhe nuk do të lejohet asnjë më shumë. Dëshira ime është që të ishin të gjithë për t’i dhënë kurajo skuadrës në fushën e gjelbërt, por rrethanat e bëjnë të pamundur. Ne bashkë me skuadrën kemi qëllimin që kanë të gjithë sportdashësit, ta shohin ekipin e tyre sa më lartë dhe shpresoj që po e realizojmë” – u shpreh Ballabani.
Ndeshja mes Burrelit dhe Erzenit do të transmetohet për tifozërinë matjane direkt në ekranin e Mat Tv.