Burreli do të zhvillojë nesër një tjetër ndeshje të rëndësishme ku do të përballet me ekipin e Dinamos në transfertë. Matjanët shkojnë në këtë përballje pas humbjes së një jave më parë në Burrel ndaj Korabit të Dibrës. Por kjo sipas teknikut Samuel Nikaj nuk do të ndikojë aspak në moralin e skuadrës e cila është përgatitur shumë për ta fituar këtë sfidë. Nikaj shprehet se djemtë janë në formë të shkëlqyer dhe se do të luajnë shumë më mirë se ndaj Korabit, ku do të sjellin rezultat. Por në nga ana tjetër, Nikaj ka një kërkesë, që të jetë një ndeshje fair play dhe në fushë të fitojë më i miri.
“Gjendja nuk është krejt e mirë pasi vijmë nga një humbje e dhimbshme. Megjithatë gjatë kësaj jave jemi munduar me fut një farë fryme pozitive në ekip për ndeshjen e radhës, me një kundërshtarë të denjë. Duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, mendoj që perfomanca e lojtarëve do të jetë në rritje nga ndeshja me Korabin. Pavarësisht se nuk kam vërejtje për lojën që kanë bërë në atë ndeshje, por këtë ndeshje mendoj të jemi më mirë se sa me dibranët dhe të fitojmë me Dinamon e të kthehemi në krye të renditjes. Të them të drejtën në ndeshjen e fundit morëm një goditje dhe shpresoj ta marrim veten nga kjo, me fitoren me Dinamon që kam shumë besim se do tja arrijmë të shkojmë në vendin e parë. Të mundohemi që tri ndeshjet e fundit ta mbajmë kryesimin. Lufta është e ashpër, por shpresoj të jetë e ndershme. Siç kam parë dy ndeshjet me Korabin duhet të kesh frikë nga gjykimi” – tha Nikaj.
Skuadra matjane ka udhëtuar që një të premten drejt kryeqytetit për të qenë në formën më të mirë në sfidën përballë Dinamos.