“Ekipi i Burrelit do të vijojë të kërkojë maksimumin në çdo ndeshje, brenda apo jashte fushe do të luhet ajo”. Kjo është deklarata e trajnerit Samuel Nikaj që i paraprin ndeshjes së nesërme ndaj Dinamos. Nikaj thotë se në këtë takim matjanët shkojnë më favorit pasi vijnë nga një fitore, ndryshe nga Dinamo që u mund në Lezhë. Megjithatë, numri një i pankinës matjane, Samuel Nikaj tha se Burreli nuk njihet vetëm këtë vit, pasi ka qenë një makineri për prodhimin e emrave kombëtarë në futboll, ndaj dhe nuk duhet parë me skepticizëm nga askush.
“Të them të drejtën shkojmë me një moral më të mirë se kundërshtari sepse ne vijmë pas një fitoreje ndërsa ata pas një humbjeje. Ne kemi mungesën e Hasës në këtë ndeshje, por e kam thënë edhe më herët se ne nuk e kemi problem nëse na mungon një, dy apo tre lojtarë pasi të gjithë formacionin e kemi njëlloj. Ne shkojmë për tri pikë pavarësisht historisë që ka dinamoja, që në të vërtetë e ka historinë e madhe, por edhe Burreli është Burrel. ndoshta nuk jemi Barcelona por e ka një traditë të madhe në futbollin shqiptar edhe pse jo ndoshta si skuadër ka prodhuar futbollist me emër të madh në vendin tonë siç janë vëllezërit Farruku, Sajmir Patushi, apo Sajmir Xhetani, Vladimir Gjoni etj. e shoh që është një skepticizëm ndaj Burrelit, që është një ekip i vogël apo që vitet e fundit nuk ka qenë aty ku e meritonte dhe po mundohen të shpifin me atë idenë ‘shpif shpif se diçka do mbetet’, duke krijuar lloj lloj alibish pas ndeshjeve. Por unë jam kranar me këtë ekip dhe organizim që kemi. Shprsoj të vazhdojmë kështu dhe të arrijmë objektivin” – tha Nikaj.
Ndeshja mes Dinamos dhe Burrelit pritet të përcaktojë se kush do të mbajë kreun e grupit deri në javën e fundit të fazës së dytë të këtij sezoni.