Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot sesionin e ri parlamentar me një mbledhje formale. Deputetja më e vjetër në moshë, Luljeta Bozo, lexoi emrat e 140 deputetëve të rinj dhe më pas dy grupet parlamentare të PS dhe PD zgjodhën anëtarët e tyre për Komisionin e Mandateve.

Nga Partia Socialiste anëtarë të Komisionit janë:

  • Klotilda Bushka
  • Ermonela Felaj
  • Aurora Mara
  • Nasip Naço
  • Toni Gogu

Ndërkohë, nga Partia Demokratike anëtarë të Komisionit janë:

  • Saimir Korreshi
  • Dhurata Çupi
  • Greta Bardeli
  • Belind Këlliçi

Sipas asaj që deklaroi kryesuesja e seancës së sotme plenare, mbledhja e radhës e Kuvendit do të jetë sot në orën 17.00. Komisioni i Mandateve ka nisur punën dhe pritet që pasdite të konfirmohen emrat e deputetëve të rinj.

Nëntë anëtarët duhet të vendosin për deputetët që do zëvendësohen pasi deputetët Mark Marku, Najada Çomo, Gramoz Ruçi dhe Lefter Koka kanë dhënë dorëheqjen nga mandatet. Po ashtu, Komisioni do të vendosë dhe për fatin e Sali Berishës.

Ish-kryeministri Sali Berisha është shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni i kryesuar nga socialistja Klotilda Bushka (Ferhati), duhet të vendosë nëse ai do të marrë mandatin apo jo.