Ngrirja dhe shkrirja e tokës gjatë orëve të drekës ka bërë që në segmentin e rrugës së Arbrit në afërsi të Qafës së Buallit të ketë rënie gurësh.

Një situatë e ngjashme është parë edhe në afërsi të Urës së Çerenecit, ndërsa më problematike mbetet rruga në afërsi të tunelit të Qafës së Buallit. Ngrirja e tokës gjatë natës dhe shkrirja gjatë drekës bën që gurët që ndodhen në të dy anët e shpatit të kësaj rrugë të bien në asfalt, duke u kthyer në problem për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Këta të fundit thonë jashtë kameras se një situatë e tillë është e shpeshtë në këtë segment rrugor, sidomos kur ka ngrirje e shkrirje të tokës brenda ditës. Kalimi në këtë pjesë të rrugës së Arbrit duhet bërë me shumë kujdes pasi prania e gurëve mund të bëhet burim aksidenti ose më e pakta të dëmtojë automjetet që qarkullojnë në drejtim të Tiranës apo Bulqizës e Dibrës