Ndonëse temperaturat e ulta dhe reshjet e dëborës shihen si problem nga banorët, për specialistët e bujqësisë, duhet të shihen edhe anët pozitive. Sipas tyre, toka ka nevojë për ngricë pasi në këtë mënyrë ndikon në shkriftimin e saj për mbjelljen e prodhimeve bujqësore. Një tjetër efekt pozitiv është edhe krijimi i rezervave ujore nëntokësore. Specialisti i bujqësisë, Dritan Pjeçi thotë se ju kanë rekomanduar fermerëve që ta punojnë tokën gjatë vjeshtës në mënyrë që gjatë ngricave të dimrit, të kryhet procesi fizik i përmirësimit të strukturës së vetë tokës.

Të njëjtin përfitim kanë edhe pemët. Sipas specialistit të Bujqësisë, Dritan Pjeçi, ngricat bëjnë të mundur që pemët të mos çelin para kohës së tyre. Po ashtu edhe për fermerët e pemtarisë, Pjeçi thotë se janë këshilluar që të punohet toka gjatë fundit të vjeshtës.

Gjithashtu Pjeçi thotë se ndryshimet klimatike po e dëmtojnë shumë frutikulturën, e cila vitet e fundit përballet me befasi të kushteve atmosferike në stinën e pranverës.