Duke filluar nga data 4 Maj, në të gjithë vendin do të lejohet shërbimi taksi ndërqytetas me dy anëtarë familjeje. Kjo masë lehtësuese vjen 8 javë pas shpalljes së karantinës nga Kryeministri Edi Rama, i cili bllokoi qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve nga një qytet në tjetrin, përveç rasteve me autorizimin përkatës.
Në platformën e-Albania qytetarët mund të gjejnë edhe protokollin e masave higjieno-sanitare që duhet zbatuar për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Personeli i punësuar duhet të përdorë në çdo moment dorezat mbrojtëse, të mbajë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Maskat, higjienizuesi dhe dorezat sigurohen nga subjekti pronar.
Në automjet duhet të ofrohet produkti higjienizues i duarve për klientët dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkool. Klienti dezinfekton duart në hyrje dhe dalje nga automjeti. Klienti mban dorezat dhe maskën mbrojtëse çdo moment.
Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik pasagjer-shofer. Kollitja dhe teshtitja kryhen duke përdorur bërrylin apo letër hundësh. Letra hidhet menjëherë në një qese të veçantë.
Kondicioneri duhet të jetë fikur dhe ajrosja të jetë natyrale. Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të automjetit dhe larje pas çdo turni, sidomos të dorezave të dyerve e sediljeve. Pas veprimeve me cash/karta krediti shoferi dezinfekton duart me higjienizues.
Subjekti duhet të afishojë listën e simptomave të COVID-19 sipas check-listës së miratuar. Subjekti duhet të afishojë detyrimin për vetëvlerësim të simptomave nga klientët dhe personeli i punësuar/adminstratori/personi fizik tregtar sipas formatit të miratuar ku përmendet përgjegjësia administrative apo penale për personin që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe numri jeshil për denoncim.