Bashkia Bulqizë ka hapur sezonin turistik “Bulqiza Turistike”, me aktivitetin promovues “Bulqiza përmes Kulinarisë dhe Vlerave Kulturore Tradicionale”, i cili ka për synim promovimin dhe zhvillimin e turizmit në zonë.
Në këtë aktivitet morën pjesë të gjitha shkollat e Bashkisë Bulqizë, ku secila prezantoi vlerat turistike të njësisë që përfaqëson.
Kulinaria me gatimet tradicionale, vlerat artistike me objekte tradicionale si dhe kultura me kostumet popullore dhe këngë e valle, u prezantuan në formën e një panairi ku të pranishmit shijuan nga afër produktet dhe u njohën më mirë me pasuritë e paçmuara të rrethit tonë.
Në Bulqizën Turistike, janë të mirëpritur dhe plot vëmendje vizitorët e interesuar për të njohur prekur dhe shijuar më nga afër zonën tonë.
Bashkia Bulqizë i ka dhënë një vëmendje të veçantë turizmit në Bulqizë, duke ofruar më shumë mundësi për turistët që do ta vizitojnë atë gjatë këtij sezoni. Infrastruktura, në të cilën është investuar më shumë, identifikimi i monumenteve kulturore dhe zonave të mbrojtura i kanë dhënë një pozicion më të fortë turizmit në Bulqizë.
Ky aktivitet u hap me fjalën e drejtoreshës së Arsimit, Kulturës, Turizmit, Rinisë, Sportit, Komunikimit dhe IT pranë Bashkisë, Ledjana Gjoka, e cila falenderoi shkollat pjesëmarrëse dhe zyrën arsimore vendore për bashkëpunimin, dhe u shpreh së turizmi si vlerë e paçmuar e Bulqizës do të vazhdojë të promovohet dhe të dëshmojë vlerat dhe faktin që në zonë nuk ka vetëm krom.
I pranishëm në aktivitetin e hapjes së sezonit turistik ishte edhe Kryetari i Bashkisë, Lefter Alla, i cili në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi të pranishmit dhe shkollat pjesëmarrëse në këtë prezantim kaq të rëndësishëm për turizmin dhe të vlerat kulturore të Bulqizës. Ai tha së turizmi do të vazhdojë të ketë mbështetje dhe vëmendje.
Nën atmosferën e mrekullueshme të krijuar në qendër të qytetit të pranishmit mundën të provonin nga gatimet tradicionale të prezantuara në këtë panair.
Për shkollat pjesëmarrëse u shpërndanë certifikata dhe tri prezantimet më të mira u vlerësuan me çmime.