Avokatët në të gjithë Shqipërinë që janë pjesë e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, kanë ndërprerë bojkotin pas miratimit të reformës gjyqësore një ditë më parë në parlament.
I kontaktuar nga Mat Televizion, Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për Qarkun Dibër, Ismail Uka, tha se me miratimin në parlament të hartës së re gjyqësore, do të ndërpitet bojkoti dhe se të gjithë avokatët do të marrin pjesë nga e hëna në seancat gjyqësore si penale, civile apo masat e sigurisë.
Nga ana tjetër, Uka shtoi se çështja e Reformës Gjkyqësore tashmë do të kalojë në një tjetër stad, ku Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar në rrugë juridike.
Me hartën e re gjyqësore në të gjithë vendin do të jenë 13 gjykata të shkallës së parë, 2 administrative dhe 1 gjykatë apeli. Nga reforma gjyqësore mes disa gjykatave do të shkrihet edhe ajo e Matit e cila nga 1 Shkurti i vitit të ardhshëm do të jetë në Dibër.
Avokatët por edhe qytetarët e kanë kundërshtuar me forcë hartën e re gjyqësore me argumentin se shkel të drejtat e njeriut për aksesin në sistemin gjyqësor, për shkak se nuk ka infrastrukturën e nevojshme qytetari për të marrë shërbimin në distanca që shkojnë deri në 200 kilometra.