Të dielën e 15 shtatorit do të luhen një pjesë e ndeshjeve të javës së katërt të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Kjo javë i ka rezervuar në kalendar ekipit të “Burrelit” përballjen me ekipin e “Pogradecit”, me të cilin do të përballet në fushën e stadiumit “Liri Ballabani”. Matjanët vijnë në këtë takim me rezultate pozitive nga fitorja e javës së parë dhe barazimet e javës së dytë dhe të tretë duke siguruar një total prej 5 pikësh në tre ndeshje të luajura. E kundërta ka ndodhur me pogradecarët të cilët drejtohen nga ish-trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj. Pogradeci ka pësuar dy humbje deri tani dhe ka mundur të sigurojë vetëm tri pikë si dhe pozicionohet në vendin e 9.
Skuadra matjane e drejtuar, nga tekniku Ditmar Bicaj, është optimiste se në përballjen e së dielës do të marrë tri pikë të tjera të plota për të vijuar rezultatet pozitive të nisura që nga ndeshja e parë e këtij kampionati.
Formacioni i Burrelit do të jetë i plotë ndërsa pritet të ketë mbështetje të madhe të tifozërisë matjane edhe në shkallët e stadiumit. Gjithësesi për të njohur rezultatin e përballjes mes Burrelit vendës dhe Pogradecit duhet pritur të përfundojë i gjithë takimi, që nis të dielën në orën 16:00, në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit.