Duke nisur nga nesër me 27 Mars deri në datën 19 Prill të gjithë fermerët do të kenë mundësinë të aplikojnë për të përfituar nga subvensionet në bujqësi sipas skemës së miratuar nga Qeveria.

Këtë vit, skema përfituese vjen me disa ndryshime nga vitet e kaluara. Për të përfituar naftën falas, fermeri duhet të ketë mbi 1 hektar tokë të kultivuar apo që do të kultivojë një nga kulturat bujqësore të stinës. Por kjo nuk është përjashtuese pasi edhe ai fermer që nuk e ka këtë sipërfaqe duhet të bashkohet me fermerë të tjerë dhe të plotësojnë sipërfaqen prej 1 hektarësh. Në këtë mënyrë përfitojnë të gjithë aplikantët sipas sipërfaqes së tokës që kanë të deklaruar me dokumenta.

Një tjetër risi për përfitimin e naftës falas nga shteti është edhe marrja e sasisë së naftës në vlerë monetare. Ndryshe nga vitet e kaluara ku fermerët merrnin kartat e karburantit, këtë vit do të marrin para sipas sasisë përfituese në vlerën e tregut. Për këtë, të gjithë fermerët që do të aplikojnë për subvencione në bujqësi duhet patjetër të paraqesin edhe një llogari të tyre bankare.

Edhe për blegtorinë do të funksionojë bashkimi i ekonomive në një të vetëm. Blegtorët që kanë më pak krerë se numri i përcaktuar, duhet të bashkohen me të tjerë dhe të përfitojnë sipas skemës.

Aplikimet do të bëhen pranë zyrave të ekstensionit bujqësor në Mat, ku do të merret asistenca e nevojshme nga specialistët përkatës. Ndërkohë, Fermeri duhet të ketë me vete dokumentet e përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.