Ekipi i futbollit “Burreli” e ai “Korabi” do të zbresin të mërkurën në orën 13 e 30 për tu përballur për llogari të javës së gjashtë të këtij kampionati. Pritësit e ndeshjes do të jenë matjanët, pasi takimi do të luhet në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Jo vetëm që kjo ndeshje është mes rivalëve për kreun e grupit A, por edhe si një derbi pasi të dyja skuadrat janë nga Qarku i Dibrës. Trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj ka zgjedhur që seancën e fundit stërvitore ta zhvillojë paraditen e së martës për tju lënë kohë djemëve që të qetësohen deri në takimin e së mërkurës. Gjithsesi kjo ndeshje pritet të marrë vëmendje të madhe për shkak se këto skuadra i kanë shpallur “luftë” njëra – tjetrës për të zënë vendin e parë. Megjithatë, dibranët po qëndrojnë nga java e parë, ndërsa me fitoren ndaj Besëlidhjes të shtunën janë shkëputur 3 pikë nga vendi i dytë dhe ai i tretë që mbahen nga Dinamo e Burreli me pikë të barabarta. Trajneri i Burrelit Samuel Nikaj tha se ndeshja është vlerësuar në maksimum si takimet e tjera dhe se djemtë janë në formë të shkëlqyer.
Takimi mes Burrelit dhe Korabit do të transmetohet direkt në ekranin e Mat Televizion si dhe në adresën zyrtare në rrjetin social Facebook. Drejtues të klubit të futbollit “Burreli” ju kërkojnë mirëkuptim tifozëve për shkak se rregullat mbrojtëse të Covid-19 nuk lejojnë prani të tifozërisë në shkallët e stadiumit.