Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e kategorisë së parë të Kampionatit kombëtar në Futboll, të cilat u shtynë nga fundjava për shkak të miqësoreve që zhvilloi ekipi i kombëtares. Kështu, ekipi i Burrelit do të presë në “shtëpi” ekipin e Bylisit, një skuadër në rivalitet të plotë me ekipin e Elbasanit për të qenë kampionë të kësaj kategorie.

E ndërsa Bylis luan për titullin kampion, Burreli ka një tjetër objektiv, atë të largimit nga zona e ftohtë e kategorisë së parë, e cila e përball për mbijetesë me një nga ekipet e kategorisë së dytë. Por për trajnerin e Burrelit, Klevis Hima, skuadra matjane ka patur kohën e mjaftueshme për tu përgatitur mirë dhe për t’i bërë ballë një kundërshtari si Bylis. Hima tha se djemtë janë të motivuar maksimalisht dhe me mbështetjen e fuqishme të tifozërisë së zjarrtë matjane, do t’ia dalin mbanë për të marrë një tjetër tri pikësh të vlefshëm, siç bëri me ekipin e Vorës pak ditë më parë.  Ekipi i futbollit Burreli aktualisht mban vendin e 8 në klasifikimin e 12 skuadrave të kategorisë së parë me 28 pikë, ndërsa Bylis ndodhet në vendin e dytë me 58 pikë, vetëm një pikë më pak se ekipi kryesues, Elbasani. Të gjitha ndeshjet e ditës së nesërme do të luhen në orën 14:00.