Të shtunën do të luhen ndeshjet e javës së shtatë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Kalendari i ka vendosur matjanët në këtë përballje me ekipin e Besës së Kavajës, i cili aktualisht mban vendin e parë në renditjen e përgjithshme të gjashtë javëve me me 16 pikë të grumbulluara pasi ka arritur të marrë 5 fitore dhe vetëm 1 barazim. Ndërkohë, skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ndodhet në vendin e 4 me 11 pikë të mbledhura deri tani me 3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje.
Ndeshja pritet të jetë një përballje e vështirë pasi do të luhet në transfertë, megjithëse djemtë matjanë janë përgatitur gjatë gjithë javës për këtë ndeshje.
Drejtues të stafit teknik të Burrelit thanë se skuadra do të jetë e kompletuar dhe bënë me dije se do të luftojnë fort si në çdo ndeshje për të marrë pikë pozitive.
Kategoria e parë e kampionatit futbollistik kryesohet nga Besa me 16 pikë, ndjekur nga Flamurtari e Vora me nga 15 pikë. Ndërkohë në fund të tabelës renditen Apolonia e Valbona me nga 4 pikë dhe Erzeni i Shijakut me 0 pikë.