Një ndër zonat më të goditurat nga reshje e borës së kësaj fillimjave ishte Bulqiza, ku trashësia e saj shkoi deri në 70 centimetra në zonat e thella malore. Nënprefekti i Bulqizës Avni Muliu thotë se sasia e borës së rënë ishte e paparashikueshme dhe e papritur, duke bërë që të krijojë probleme në furnizimin me energji elektrike në shumë fshatra si dhe bllokim të rrugëve. Megjithatë, sipas Muliut grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë si dhe për hapjen e rrugëve në çdo fshat.
Mbrëmjen e së Martës temperaturat në Bulqizë zbritën disa gradë nën zero ndërsa të Mërkurën pritet të shkojnë deri -10 gradë, duke bërë që situata të mos ketë përmirësim të ndjeshëm dhe të ketë prani të akullit.