Nënprefekti i Matit, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste të Bashkisë Mat, Hasan Pasha, botoi këto ditë librin e tij të parë në publicistikë: “Të pathënat e 30 viteve”.
Ish gazetari i “Mat Televizion” dhe i disa mediave të shkruara dhe vizive ka publikuar gjatë tri dekadave shkrime në shumta për Matin, e tërë qarkun Dibër, por në këtë libër me një gjuhë të qartë, si një dëshmitar okular i mjaft ngjarjeve që rrokën Shqipërinë, Pasha shkon përtej lajmeve të botuara ndër vite.
Redaktori i librit, shkrimtari Hamdi Hysuka, që ka shkruar edhe parathënien e “Të pathënat e 30 viteve”, ndër të tjera vlerëson se rreth përvojës 30-vjeçare të punës së gazetarit, Hasani na flet “pa doreza”.
Periudha kohore e viteve të nëntëdhjeta, pluralizmi dhe formimi i partive politike, veprimtaria e tyre në konkurencë të ashpër zhvillimore, ndërtimet në infrastrukturë, rimëkëmbja ekonomike, sociale e vendit dhe shumë të tjera, janë pasqyruar me theks të veçantë, sipas këndvështrimit të tij gazetaresk.
Gjithçka interesante për punën, marrëdhëniet mes kolegëve, raporti i gazetarit me politikën, pasqyrimi i temave të “mprehta” e të “rrezikshme” si dhe pasojat që ato sillnin për “nxirjen e realitetit”, Hasan Pasha i rrëfen në këtë botim të parë, “Të pathënat e 30 viteve”, me kujtime, mendime, komente jetësore, ngjarje, data që kanë qenë pjesë e jetës së tij si gazetar.
Gjithë libri është shkruar me kulturë, përgjegjësi, korrektësi, bazuar mbi fakte, sipas pikëpamjeve të tij. Të pathënat e Hasan Pashës, kur i përfundon së lexuari, të mbeten në mendje forma shfaqjeje të kronikës së zezë, dukuri të trishta të realitetit të sotëm, ngjarje të ndodhura dramatike e tragjike, vrasje, grabitje, krime, imoralitete.

Libri “Të pathënat e 30 viteve” thotë Hysuka, është tregues i përpunimit të mendimit politik, shoqëror e profesional lidhur me të djeshmen e të sotmen e tranzicionit tonë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës.
Autori i këtij libri, Hasan Pasha është me përvojë të gjatë pune. Detyra e gazetarit e ka bërë të njohë më shumë Shqipërinë, Kosovën, por dhe Europën. Prandaj rreth shkaqeve që kanë penguar e pengojnë ecjen tonë drejt Bashkimit Europian, Pasha është kritik dhe objektiv.
Libri “Të pathënat e 30 viteve” përbën një hap cilësor në jetën publicistike të autorit, sepse qëllimi dhe dëshira e mirë e tij është për të lënë te pasardhësit matjanë e më gjërë një pjesë të historisë së zhvillimeve demokratike, shkruar e gjitha me përgjegjësi intelektuale, qytetare, patriotike dhe historike.
Hasan Pasha është ndër gazetarët e njohur në Qarkun e Dibrës. Për mëse 30 vjet firma e tij ka zënë vend në organe të rëndësishme të medias lokale e kombëtare. Edhe libri i tij i parë “Të pathënat e 30 viteve” me modesti të kujton sentencën e njohur se “ata që dinë të shkruajnë, nuk dinë të heshtin”.
Si përfundim, mund të them se Matit i ka munguar një botim i tillë, pasi nëpër 196 faqet e tij pasqyrohet ajo që ka ndodhur vërtetë gjatë tranzicionit demokratik tepër të gjatë e të vështirë, i cili pafund është përgojuar.