Për shkaqe të ndryshme, rrugët nacionale në Qarkun Dibër gjatë gjithë vitit kanë tregtarë ambulant të cilët shesin prodhimet e tyre. Por në këto ditë të nxehta korriku është vështirë të përballohet nën temperatura që shkojnë deri në 40 gradë Celsius.

Por për fermerin Hasan Cukali nga fshati Kloskatund i Bashkisë Klos, nuk ka mundësi tjetër për të siguruar të ardhura. Ai qëndron gjithë ditën në rrugë me shpresën që dikush të ndalet e të blejë ndonjë produkt nga ato që i ka kultivuar vetë. Hasani tregon se kostoja e prodhimit është shumë e lartë për shkaktë mungesës së ujit vaditës, e megjithatë kjo është mënyra e vetme që ai dhe familja e tij të sigurojnë të ardhura. Shitjet për të nuk janë njëlloj çdo ditë, pasi në shumë raste detyrohet që mallin ta marrë sërisht në shtëpi dhe tjua hedhë lopëve.

Si Hasani ka disa fermer që në pamundësi për të dalë në treg në zonat urbane, dalin e shesin prodhimet e tyre në rrugën nacionale.