Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka kërkuar vazhdimisht që organet e pushtetit vendor të ofrojnë një mjedis sa më të pastër në mënyrë që turistët apo vizitorët të mos përballen me imazh negative teksa hyjnë në vendin tonë. Fokusi është kërkuar tek rrugët nacionale, por edhe të zonave të tjera.

Ndërkohë, kjo problematikë është e vazhdueshme në rrugën nacionale Klos – Burrel ku edhe pse ka patur aksione pastrimi, ndotja vazhdon kryesisht në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kuq” në fshatin Suç.

Në mungesë të një kontejneri mbeturinash, udhëtarët që ndalen pranë burimit të ujit në këtë zonë, lënë mbetje të ndryshme që nga ato plastike të shisheve të ujit e deri tek produkteve të tjera që i konsumojnë aty.

Problematike situata është në anën e poshtme të rrugës ku mbeturina të shumta janë hedhur në zonën mbi lumin Mat të cilat tani po mbulohen nga bimësia

Ky është vendi i vetëm që nuk është vendosur një kontejner mbeturinash në fshatin Suç të Klosit, pasi në pika të tjera strategjike apo të banuara janë vendosur 3 vite më parë.